Automjetet e policisë do të bëhen kamera të lëvizshme, kontrollet e reja nisin në vitin 2027
Automjetet e policisë, përfshirë edhe ato civile, do të pajisen me kamera dhe pajisje speciale për zbulimin e shkeljeve në trafik në rrugët ku nuk funksionon sistemi “Qyteti i Sigurt”. Kontrolli i ri pritet të fillojë në vitin 2027, paralajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ai bëri të ditur se një numër i madh i automjeteve të MPB-së do të pajisen me teknologji që do të mundësojë evidentimin e kundërvajtjeve, veçanërisht tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
Sipas Toshkovskit, shoferët tashmë janë përshtatur me lokacionet ku janë vendosur kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt” dhe në ato pjesë të rrugëve zakonisht respektojnë rregullat, ndërsa në vendet ku nuk ka kamera vazhdojnë të vozisin në mënyrë të papërgjegjshme.
Me sistemin e ri, edhe automjetet policore në lëvizje do të mund të regjistrojnë shkeljet, ndërsa të dhënat do të përcillen drejtpërdrejt në sistemin elektronik. Kjo do të bëjë që shoferët të mos e dinë paraprakisht se ku mund të kontrollohen.
Ministri nuk bëri të ditur se sa automjete do të pajisen me këto pajisje, por theksoi se qëllimi është rritja e disiplinës dhe sigurisë në komunikacion, veçanërisht në rrugët ku nuk ka kamera fikse.
Ndërkohë, sistemi “Qyteti i Sigurt” funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10, ku deri më tani janë evidentuar mijëra kundërvajtje në trafik.

