Transplantim i veshkës nga nëna te fëmija me sindromën Alport, rast i parë në Maqedoni
Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut është kryer transplantimi i veshkës nga nëna te fëmija i saj, i cili vuan nga sindroma Alport, një sëmundje e rrallë gjenetike e trashëguar që dëmton indin e veshkave dhe mund të çojë në pamjaftueshmëri renale.
Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se, pas ekzaminimeve të nevojshme mjekësore, është konstatuar përputhshmëria mes dhurueses dhe pranuesit të organit. Nëna është vlerësuar si dhuruese e përshtatshme, ndërsa vendimi i saj i ka dhënë fëmijës një mundësi të re për jetë.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, e vlerësoi këtë ndërhyrje si një sukses të rëndësishëm mjekësor, duke theksuar se ajo dëshmon profesionalizmin, punën ekipore dhe humanizmin e stafit shëndetësor.
Ndërkohë, disa ditë më parë, në Klinikën Universitare të Urologjisë ishin kryer edhe tri transplantime të tjera të veshkave. Në dy raste, organet ishin marrë nga dhurues të ndjerë, ndërsa në rastin e tretë nga një dhurues i gjallë.
Me këto ndërhyrje, numri i përgjithshëm i transplantimeve të veshkave të kryera këtë vit në këtë klinikë ka arritur në 15, krahasuar me 11 transplantime gjatë gjithë vitit 2025.
Sindroma Alport është një sëmundje e trashëguar që prek veshkat dhe, në rastet më të rënda, mund të shkaktojë pamjaftueshmëri renale dhe nevojën për dializë. Sipas autoriteteve shëndetësore, ky rast tregon se, me diagnostikim të duhur, vlerësim të hollësishëm dhe përgatitje mjekësore, transplantimi mund të jetë një mundësi edhe për pacientët me sëmundje të rralla gjenetike.

