Gashi dhe Haxhiu diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe integrimin evropian

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, priti sot në takim kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit parlamentar, koordinimin për çështjet me rëndësi rajonale dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e reformave, dialogut dhe bashkëpunimit për një rajon të qëndrueshëm dhe të sigurt.

Haxhiu theksoi se kjo është vizita e saj e parë zyrtare në një shtet të huaj në cilësinë e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe iniciativa shumëpalëshe e rajonale.

Gashi dhe Haxhiu u zotuan se do të vazhdojnë të nxisin kontaktet mes qytetarëve, të rinjve, komuniteteve akademike dhe bizneseve, me synim forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit mes dy vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *