Shasivari përdor sloganin e ambasadorit Meidani: “Do të flitet shqip o taj”

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka përdorur sloganin “Do të flitet shqip o taj”, të bërë të njohur nga fushata “FOL SHQIP O TAJ”, e iniciuar nga ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në mbështetje të studentëve shqiptarë që kërkuan mbajtjen e Provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Duke folur për zgjidhjen e paralajmëruar për dhënien e provimit në gjuhën shqipe, Shasivari e cilësoi atë si një reformë rrënjësore dhe një zhvillim të rëndësishëm pas gjashtë dekadash.

“Do të flitet shqip o taj. Ua thashë këtë edhe studentëve. Kjo ndodh për herë të parë pas 60 vitesh”, deklaroi Shasivari.

Ai shtoi se po numëron ditët deri në heqjen e barrierës gjuhësore. “Unë i bëj përllogaritjet mirë, jo me kalkulator, por me orë. I numëroj ditët e fundit kur do të hiqet kjo barrierë gjuhësore”, u shpreh ministri.

Slogani “FOL SHQIP O TAJ” u bë simbol i solidaritetit me studentët shqiptarë, të cilët protestuan për të drejtën e dhënies së Provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera përkatëse profesionale në gjuhën shqipe.

Ndërkohë, mbështetjen e ambasadorit Meidani për studentët e rikujtoi edhe Mevlan Ademi, përfaqësues i lëvizjes studentore, i cili e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme dhe ndihmën e ofruar gjatë angazhimit të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *