Vaksinat BCG pritet të arrijnë brenda pak ditësh, ISHP-ja u bën thirrje prindërve të qëndrojnë të qetë
Vaksinat BCG kundër tuberkulozit pritet të arrijnë në vend brenda pak ditësh, ndërsa po organizohet sigurimi i tyre nga depoja qendrore e UNICEF-it. Ndërkohë, imunizimi me vaksinën e prodhuesit bullgar “Bul Bio” është shtyrë përkohësisht, pas raportimit në Kroaci të katër rasteve të dyshuara të inflamacionit të indit kockor te fëmijët e vegjël pas vaksinimit.
Nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se po kontrollohen seritë dhe cilësia e vaksinave, si dhe po shqyrtohet lidhja e mundshme me reaksionet e raportuara.
ISHP-ja u bën thirrje prindërve të qëndrojnë të qetë, duke theksuar se marrja e vaksinës nuk nënkupton domosdoshmërisht shfaqjen e ndërlikimeve. Megjithatë, nëse te fëmijët vërehen dhimbje ose ënjtje në kocka e nyje, kufizim i lëvizjeve apo vështirësi në ecje, rekomandohet vlerësim mjekësor.
Nga Ministria e Shëndetësisë rikujtojnë se vaksinimi kundër tuberkulozit është i detyrueshëm. Sipas të dhënave të publikuara, në Institutin për Tuberkuloz aktualisht po trajtohen 95 pacientë, ndërsa 83 raste janë regjistruar këtë vit.

