Aksion i MPB-së dhe FBI-së në Tetovë, 20-vjeçari dyshohet për tregti me të dhëna të vjedhura
MPB-ja ka ngritur kallëzim penal ndaj një 20-vjeçari nga Reçica e Madhe e Tetovës, i cili dyshohet se administronte një treg ilegal online për shitjen e të dhënave të vjedhura. Rasti u zbulua në një operacion të përbashkët me Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI).
Sipas MPB-së, hetimi nisi pas informacioneve të siguruara nga FBI-ja për aktivitetet kriminale në platformën ilegale OLVX. I dyshuari dyshohet se gjatë viteve 2023–2025 administronte faqet e kësaj platforme, përmes së cilës ofroheshin të dhëna të vjedhura, mjete softuerike dhe shërbime për krime kompjuterike. Në platformë ishin publikuar mbi 1.500 kredenciale të vjedhura për qasje në llogari dhe rrjete kompjuterike.
Policia gjithashtu dyshon se gjatë periudhës 2025–2026, i riu drejtonte grupin ilegal ONEMILI në Telegram, ku ofroheshin mjete për krime kompjuterike dhe skema mashtrimi për rimbursim të paligjshëm të parave. Sipas MPB-së, janë siguruar edhe prova se ai posedonte materiale që përmbanin abuzim seksual me fëmijë.
I dyshuari ngarkohet me veprat penale “Mashtrim kompjuterik”, “Keqpërdorim i të dhënave personale” dhe “Prodhim dhe shpërndarje e pornografisë së fëmijëve”.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se ky është operacioni i parë i përbashkët dhe i koordinuar kibernetik mes policisë së Maqedonisë së Veriut dhe FBI-së për zbulimin dhe luftimin e krimit të organizuar kompjuterik.

