79 kilogramë marihuanë në kamion drejt Turqisë
Dogana shkatërron grupin ndërkombëtar, pesë të arrestuar
Një grup kriminal ndërkombëtar i dyshuar për trafikim të drogës është shkatërruar pas një hetimi të Drejtorisë së Doganave. Në aksion janë arrestuar pesë persona, ndërsa ndaj tyre është ngritur kallëzim penal.
Aksioni nisi pas një informacioni të marrë nga Njësia e Inteligjencës. Ekipet mobile të Njësisë për Operacione, në pikën kufitare Dojran, ndaluan një kamion në dalje nga Maqedonia e Veriut dhe zbuluan 79 kilogramë marihuanë, e cila ishte destinuar për tregun turk.
Droga u sekuestrua, ndërsa u arrestua shoferi, shtetas i Bosnjë-Hercegovinës.
Sipas Doganës, kamioni kishte hyrë në Maqedoninë e Veriut i ngarkuar me profile hekuri, të cilat duhej t’i transportonte drejt Greqisë.
Gjatë hetimit u konstatua se, pas një marrëveshjeje me persona nga Maqedonia e Veriut, marihuana ishte ngarkuar në një lokacion të paracaktuar, ndërsa kamioni ishte vulosur me një vulë doganore që shoferi e kishte me vete.
Më pas, kamioni vazhdoi rrugën drejt Greqisë përmes pikës kufitare Dojran, ku u ndalua nga njësitë mobile të Doganës.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në trafikimin e drogës.

