Shkatërrohet grup kriminal në Prilep, 21 persona nën hetim

Një grup kriminal i organizuar, i cili dyshohet se ka vepruar në Maqedoninë e Veriut dhe në disa shtete evropiane, është goditur në një aksion të madh policor në Prilep. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se gjatë aksionit janë kryer rreth 30 bastisje, ndërsa për 21 persona po përgatiten kallëzime penale.

PANÇE TOSHKOVSKI – MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Ky aksion kundër grupit të organizuar kriminal, nën koordinimin e Prokurorisë Publike, ka zgjatur më shumë se një vit. Gjatë ditës së djeshme janë kryer rreth 30 bastisje dhe për 21 persona po përgatiten kallëzime penale.”

Sipas Toshkovskit, hetimi ka zbuluar dyshime se pjesëtarë të grupit kanë kryer vepra penale edhe në Greqi dhe Spanjë. Një nga të dyshuarit, i cili ishte në arrest shtëpiak në Spanjë dhe më pas ishte arratisur, është arrestuar nga policia e Maqedonisë së Veriut.

Hetimi përfshin edhe dyshime për përfshirjen e zyrtarëve policorë në aktivitetet e grupit. Sipas ministrit, disa prej tyre dyshohet se u kanë dhënë informacione anëtarëve të grupit, ndaj janë kryer bastisje edhe në objektet e tyre.

PANÇE TOSHKOVSKI – MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Ekzistojnë dyshime se veprime të caktuara kriminale janë ndihmuar nga zyrtarë policorë, të cilët kanë ndarë informacione me anëtarët e grupit. Për këtë arsye, gjatë aksionit janë kryer edhe disa bastisje te zyrtarë policorë për të cilët ekziston dyshimi se kanë bashkëpunuar me disa nga të dyshuarit.”

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar mbi 120 mijë euro para të gatshme dhe rreth dhjetë automjete, mes tyre dy “Maserati” dhe dy “Land Rover”. Për njërin prej automjeteve, sipas Toshkovskit, ekzistojnë dyshime se është i lidhur me dokumentacion të falsifikuar.

Në kuadër të hetimit janë evidentuar edhe dyshime për pastrim parash, përkatësisht se të ardhurat e përfituara nga aktivitetet kriminale janë futur në qarkullimin juridik në vend dhe jashtë tij. Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu një gjurmë që lidhet me blerjen dhe shitjen e një prone në Serbi.

Toshkovski bëri të ditur edhe se një familjar i afërt i njërit prej të dyshuarve ishte arrestuar disa muaj më parë në Francë. Në automjetin e tij, sipas ministrit, ishte gjetur një bunker me 10 kilogramë kokainë, e cila dyshohet se ishte destinuar për t’u sjellë në Maqedoninë e Veriut.

PANÇE TOSHKOVSKI – MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Qëllimi i këtij hetimi nuk është vetëm të dokumentojmë, evidentojmë dhe procedojmë veprën penale të kryer nga autorët, por gjithçka që është krijuar si pasojë e veprave penale të sekuestrohet dhe të vihet në funksion të shtetit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *