“Termini im” 738 ditë pa kontratë mirëmbajtjeje, auditimi zbulon dobësi në sistemin shëndetësor

Sistemi nacional i informacionit shëndetësor “Termini im” ka funksionuar gjithsej 738 ditë pa kontratë për mirëmbajtje në periudhën nga janari 2021 deri në prill 2026. Kjo përbën 37,9 për qind të periudhës së analizuar, sipas auditimit të Entit Shtetëror të Revizionit.

Auditimi ka evidentuar dobësi në menaxhimin e sistemit, kapacitetet kadrovike, sigurinë e TI-së, mbrojtjen e të dhënave personale dhe mjekësore, si dhe në sigurimin e vazhdimësisë së funksionimit.

Për mirëmbajtjen e “Terminit im” dhe sistemeve të tjera të ndërlidhura në shëndetësinë publike janë lidhur kontrata në vlerë prej 333,3 milionë denarësh, ose rreth 5,42 milionë euro. Vetëm 9 për qind e kësaj shume i janë referuar sistemit nacional, ndërsa pjesa tjetër sistemeve të tjera të informacionit.

Sipas auditimit, kontratat janë lidhur në baza vjetore, pa u siguruar vazhdimësia e mirëmbajtjes. Ndërkohë, 48 për qind e investimeve në sisteme të tjera të informacionit në institucionet shëndetësore publike janë përqendruar te vetëm tri kompani softuerike, çka paraqet rrezik për konkurrencë të kufizuar.

Dobësi janë konstatuar edhe në kapacitetet e Drejtorisë për Shëndetësi Elektronike, ku ishin plotësuar vetëm 29 për qind e vendeve të parapara të punës. Auditimi ka evidentuar gjithashtu mungesë të standardeve për certifikimin e zgjidhjeve softuerike dhe mekanizmave për kontrollin e të dhënave të futura në sistem.

Në disa institucione shëndetësore publike nuk kishte lista të kontrolleve të planifikuara, ndërsa në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, SMS-të për përkujtimin e termineve përbënin vetëm 10,1 për qind të numrit të udhëzimeve të realizuara.

Auditimi ka konstatuar edhe se për periudhën 2021–2025, në “Termini im” nuk ishin evidentuar ndërhyrje kirurgjikale nga “8 Shtatori”, pavarësisht se bëhet fjalë për një nga spitalet më të ngarkuara në vend. Edhe listat e pritjes për operacione, sipas raportit, nuk pasqyrojnë plotësisht gjendjen reale për shkak të mungesës së të dhënave kyçe.

Probleme janë evidentuar edhe në kontrollet e Ministrisë së Shëndetësisë. Në vitin 2023 ishin planifikuar 62 kontrolle, por ishin realizuar vetëm 24, ose 38,7 për qind, ndërsa në vitet 2024, 2025 dhe 2026 nuk ishin miratuar plane vjetore për kontrolle.

Enti Shtetëror i Revizionit ka ngritur shqetësime edhe për sigurinë e TI-së dhe mbrojtjen e të dhënave personale, duke konstatuar mungesë të procedurave për menaxhimin e qasjeve, monitorimin e aktiviteteve dhe mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme.

Në raport theksohet nevoja për mirëmbajtje të vazhdueshme të sistemit, forcim të sigurisë së TI-së, përmirësim të infrastrukturës dhe vendosjen e mekanizmave më efikasë të kontrollit dhe mbrojtjes së të dhënave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *