Dorëhiqet drejtori i Muzeut të Krushevës pas polemikave për xhirimet e klipit të Don Xhonit në “Makedonium”

Drejtori i Muzeut Historik të Krushevës, Miha Odzhaklieski, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme pas polemikave lidhur me xhirimin e një pjese të videoklipit të reperit nga Kosova, Don Xhoni, në monumentin “Makedonium”.

Odzhaklieski ka kërkuar falje për rastin, duke e cilësuar lejimin e xhirimeve si një “lëshim të paqëllimshëm” dhe duke marrë përgjegjësinë për vendimin.

Rasti ka shkaktuar reagime edhe në nivel qeveritar. Kryeministri Hristijan Mickoski kishte paralajmëruar se do të kërkonte shkarkimin e drejtorit dhe të anëtarëve të Bordit Drejtues të institucionit.

Ndërkohë, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, tha se do të shqyrtohen aspektet ligjore të dhënies me qira të hapësirave të “Makedoniumit”, duke theksuar se institucionet mund t’i japin hapësirat me qira, por duhet të merret parasysh edhe qëllimi dhe përmbajtja e aktiviteteve.

Sipas informacioneve të publikuara, hapësirat e monumentit janë dhënë me qira për 500 euro për xhirimin e këngës “Sexy Mama”.

Për rastin ka reaguar edhe Don Xhoni, i cili tha se lokacioni është zgjedhur nga produksioni dhe se xhirimi nuk ka pasur për qëllim të provokojë, ofendojë apo zhvlerësojë monumentin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *