Përfundon inspektimi për rastin e pacientes nga Ohri, kërkohen kontrolle shtesë
Ka përfunduar inspektimi i jashtëzakonshëm i Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor lidhur me rastin e pacientes LJ.Sh. nga Ohri, e cila humbi fetusin gjatë shtatzënisë. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se inspektimi ka përfshirë Spitalin e Përgjithshëm në Ohër, Spitalin e Përgjithshëm në Strugë dhe Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup, për periudhën nga maji deri në shtator.
Krahas këtyre institucioneve, Klekovski ka kërkuar verifikim edhe të trajtimit që pacientja ka marrë te gjinekologu amë, si dhe në një institucion privat shëndetësor ku ka kryer kontrolle. Sipas ministrit, këto verifikime synojnë të japin një pasqyrë të plotë të trajtimit mjekësor që i është ofruar pacientes.
Ndërkohë, sa i përket rastit të pacientes S.M. nga Strumica, e cila mbeti e palëvizshme pas lindjes me prerje cezariane në Spitalin e Shtipit, Klekovski njoftoi se mbikëqyrja profesionale ka përfunduar. Rezultatet e saj pritet të prezantohen nesër në një konferencë për media, së bashku me mjekët që kanë kryer mbikëqyrjen.

