Paga minimale 600 euro në Kuvend në tetor, Gashi: Jam për rritje, por VLEN ende pa qëndrim
Propozim-ligji për pagën minimale prej 600 eurosh, i propozuar nga grupi parlamentar i LSDM-së, pritet të jetë para deputetëve në fillim të muajit tetor.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thotë se është për rritjen e pagës minimale, por thekson se deputetët e VLEN-it ende nuk kanë marrë qëndrim përfundimtar nëse do ta mbështesin propozimin.
Gashi tha se deri në shqyrtimin e ligjit mund të ketë edhe bisedime mes partive dhe se, nëse propozimi është në interes të qytetarëve, ai duhet të mbështetet, pavarësisht se kush e ka propozuar.
AFRIM GASHI – KRYETAR I KUVENDIT
“Shpresoj që deri atëherë partitë do të ndërtojnë një qëndrim lidhur me atë nëse do të pranohet apo cili do të jetë qëndrimi i tyre. Do të duhet të presim, ndoshta do të ketë edhe bisedime dhe, nëse është në interes të qytetarëve, pse jo, duhet të mbështetet. Nuk është e rëndësishme se kush e propozon, e rëndësishme është që ai ligj të jetë në interes të të gjithë qytetarëve.”
Nga VMRO-DPMNE nuk kanë dhënë qëndrim konkret nëse do ta mbështesin propozim-ligjin, ndërsa deputeti Brane Petrushevski kritikoi kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar se kundërshton projekte dhe investime që, sipas tij, do të mundësonin hapjen e vendeve të reja të punës.
BRANE PETRUSHEVSKI – VMRO-DPMNE
“Filipçe paska dashur paga prej 600 eurosh, por është kundër qendrave të të dhënave, minierave dhe hapjes së vendeve të reja të punës. E pengojnë qendrat e të dhënave, e pengojnë minierat, e pengojnë investimet dhe projektet e reja.”
Ndërkohë, nga LSDM-ja kanë përsëritur thirrjen që Kuvendi ta miratojë propozimin për pagë minimale prej 600 eurosh.
“Ka për aeroplan. Ka për mobilie. Ka për luks. Nuk ka për punëtorin. 5,53 milionë për David Guettan. 1,6 milionë që ta ndajnë opozitën. Provizion ka. Pagë nuk ka. Kuvendi ta miratojë propozimin e LSDM-së për pagë minimale prej 600 eurosh. Jo si dhuratë. Si prag nën të cilin shteti nuk duhet të lejojë që qytetari të fitojë.”
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, njoftoi gjithashtu se në seancën e 29 shtatorit do të vendosen në rend dite ligjet për të cilat nevojitet votim me Badenter.
Në listën e ligjeve që pritet të shqyrtohen nuk është edhe propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili vazhdon të jetë i bllokuar nga opozita shqiptare.

