Deri në fund të vitit pritet Strategjia për Inteligjencën Artificiale, paralajmërohet edhe ligj i ri
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, pret që deri në fund të vitit të miratohet Strategjia Kombëtare për Inteligjencën Artificiale, ndërsa si pjesë e saj paralajmërohet edhe miratimi i një ligji për përdorimin e kësaj teknologjie.
Nesër, në Ministrinë e Transformimit Digjital, do të mbahet takim i grupit të punës, pas të cilit versioni draft i strategjisë pritet të publikohet në ENER. Pas publikimit do të organizohen edhe disa debate publike.
“Pres që deri në fund të vitit ta miratojmë. Një nga aktivitetet e strategjisë po mendojmë të jetë edhe miratimi i një ligji për përdorimin e inteligjencës artificiale. Pra, jo rregullimi i prodhimit apo krijimit të inteligjencës artificiale, por më shumë përdorimi i saj në mënyrë të drejtë, etike dhe parimore, në të mirë të shoqërisë”, deklaroi Andonovski.
Ministri foli edhe për projektin e Qendrës Kombëtare të të Dhënave, për të cilin, sipas tij, tashmë po zhvillohen bisedime me financues potencialë.
Ndërkohë, në Ministrinë e Transportit po diskutohen procedurat për shfrytëzimin e lokacionit të planifikuar pranë Bunarxhikut. Sipas Andonovskit, qendra do të ndërtohet në afërsi të Shkupit, pranë një prej zonave industriale dhe zhvillimore.
“Bëhet fjalë për tokë shtetërore që nuk përdoret për bujqësi apo për ndonjë qëllim tjetër, kështu që do ta shfrytëzojmë këtë hapësirë”, tha ai.
Në afërsi të lokacionit tashmë janë ndërtuar centrale fotovoltaike, ndërsa ministri paralajmëroi se në fazën e dytë, krahas Qendrës Kombëtare të të Dhënave, planifikohet ndërtimi i një centrali të ri fotovoltaik.
Sipas planit të prezantuar nga Andonovski, centrali do të sigurojë rreth 30 deri në 40 për qind të energjisë elektrike që do të konsumohet nga Qendra Kombëtare e të Dhënave.

