1.500 euro për vende pune – Arrestohet shoferi i qeverisë, Ekzekutivi: “Kjo është luftë kundër korrupsionit”
1.500 euro në këmbim të ndikimit në një konkurs për zjarrfikës. Ky është dyshimi që ka çuar në arrestimin e një 49-vjeçari, i cili në kohën e dyshuar të veprës punonte si shofer për nevojat e Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shkup ka nisur procedurë hetimore ndaj personit me inicialet D.C., i dyshuar se ka kërkuar para nga një qytetar për të ndikuar në konkursin për punësimin e zjarrfikësve në Qytetin e Shkupit. Sipas dyshimeve të hetuesisë, ai nga 24 korriku deri më 4 shtator ka kërkuar shumën prej 1.500 eurosh, duke pretenduar se mund të ndikonte në procesin e përzgjedhjes. Pas publikimit të rastit, ka reaguar edhe Qeveria, duke sqaruar pozitën e të dyshuarit dhe duke theksuar se ai nuk ka qenë shofer personal i ndonjë funksionari qeveritar, por ka kryer detyra për nevojat e Sekretariatit të Përgjithshëm.
QEVERIA E RMV-SË
“Në kohën e kryerjes së veprës së paligjshme, personi në fjalë punonte dhe kryente detyra si shofer për nevojat e Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, pasi më parë kishte lidhur marrëdhënie pune në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, sipas praktikës së zbatuar në të gjitha institucionet e tjera.”
Nga Qeveria thonë se rasti dëshmon se ligji vlen për të gjithë dhe se institucionet nuk do të tolerojnë keqpërdorime, pavarësisht se kush është i përfshirë.
QEVERIA E RMV-SË
“Ky rast dëshmon se ligjet vlejnë për të gjithë dhe konfirmon vullnetin dhe synimin e Qeverisë për ta luftuar korrupsionin. Me këtë vendoset një kufi i qartë ndërmjet atyre që synojnë të kryejnë keqpërdorime dhe të gjithë të tjerëve që luftojnë kundër tyre.”
Por, në komunikimet zyrtare shfaqet një dallim sa i përket mënyrës se si ka nisur denoncimi.Qeveria thekson se denoncimi fillestar ka ardhur nga institucionet, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se rasti është paraqitur fillimisht nga një qytetar.
Pavarësisht kësaj, Qeveria e cilëson aksionin si rezultat të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe pjesë të angazhimeve për luftë të pakompromis kundër korrupsionit.
Tashmë mbetet që hetimi të përcaktojë nëse 49-vjeçari ka kërkuar dhe marrë në mënyrë të kundërligjshme paratë, si dhe nëse ka pasur realisht mundësi për të ndikuar në konkursin për zjarrfikës. Rasti rikthen edhe një herë në vëmendje dyshimet për keqpërdorime në punësimet publike, ndërsa organet hetimore duhet të zbardhin të gjith

