Bauer: Çështjet dypalëshe nuk duhet ta mbajnë peng integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE
Çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen përmes dialogut dypalësh dhe nuk duhet të lejohet që ato ta mbajnë peng të gjithë procesin e anëtarësimit, deklaroi ministrja austriake për Evropën, Klaudia Bauer, në një intervistë për gazetën “Sloboden Peçat”, transmeton Portalb.mk.
Duke folur për mënyrën se si mund të zgjidhet kontesti me Bullgarinë, për shkak të të cilit është bllokuar procesi eurointegrues i Maqedonisë së Veriut, Bauer tha se Austria është e gatshme të mbështesë një dialog konstruktiv dhe një kompromis të drejtë.
Ajo theksoi se Austria mbështet edhe votimin me shumicë të cilësuar për hapat teknikë, në mënyrë që një shtet anëtar të mos mund të bllokojë çdo vendim të procesit.
“Ndryshimet kushtetuese mbeten një hap i dakorduar drejt hapjes së klasterit të parë. Por ato nuk duhet të çojnë në një varg të pafund kërkesash të reja. Maqedonisë së Veriut i nevojitet qartësi dhe duhet ta dijë se kur t’i përmbushë detyrimet e saj, edhe BE-ja do t’i përmbushë të vetat”, deklaroi Bauer.
Sipas saj, është e kuptueshme kërkesa e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për garanci se pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese procesi do të vazhdojë pa kushte të reja dypalëshe.
“BE-ja duhet të qëndrojë pas kornizës së dakorduar negociuese. Kur Maqedonia e Veriut ta ndërmarrë hapin e dakorduar, Evropa duhet të jetë e gatshme të ecë përpara. Detyrimet duhet të vlejnë në të dyja drejtimet. Sinjalet e qarta politike nga BE-ja dhe Bullgaria janë thelbësore për rindërtimin e besimit”, tha ajo.
Bauer vlerësoi se propozimi që ndryshimet kushtetuese të miratohen me efekt të shtyrë, si një kompromis i mundshëm, meriton shqyrtim serioz.
“Prandaj, ky propozim meriton shqyrtim serioz. Çdo zgjidhje duhet të jetë juridikisht e qëndrueshme, të respektojë kornizën negociuese dhe të jetë e pranueshme për të gjitha palët. Por unë jam e hapur për çdo kompromis serioz që mund ta tejkalojë ngërçin dhe ta afrojë Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Evropian”, shtoi Bauer.
Ajo tha se Evropa duhet të marrë përgjegjësi për ruajtjen e besimit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në projektin evropian.
“Anëtarësimi është rrugë me dy drejtime. Vendet kandidate duhet të zbatojnë reformat, por kur ato i përmbushin detyrimet, edhe Evropa duhet të përmbushë të sajat. Nuk mund ta zhvendosim vazhdimisht cakun”, theksoi ministrja austriake.
Bauer shtoi se integrimi gradual në BE mund të sjellë rezultate të dukshme në fusha si SEPA, roamingu dhe tregu i përbashkët, duke theksuar se Evropa duhet të bëhet një realitet i prekshëm, veçanërisht për të rinjtë.
Në intervistën për “Sloboden Peçat”, ajo tha se mund ta imagjinojë Maqedoninë e Veriut duke iu bashkuar Bashkimit Evropian gjatë kësaj dekade, por për këtë, sipas saj, nevojiten guxim dhe vullnet politik si në vend, ashtu edhe në BE.
Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese për të avancuar në procesin eurointegrues. Ato parashohin përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë.
Ndryshimet kushtetuese kërkojnë shumicë prej dy të tretash në Kuvend, ndërsa negociatat me BE-në nuk do të mund të avancojnë në fazën e paraparë pa përmbushjen e këtij kushti.

