Apeli konfirmon lirimin e Gruevskit në rastin “Talir 2”, VMRO-DPMNE shmang konfiskimin e selisë

Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore Penale ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në rastin “Talir 2”, që lidhet me financimin dhe ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së.

Sipas Apelit, Prokuroria nuk ka dëshmuar përtej dyshimit të arsyeshëm se kompania “Beton” kishte statusin e subjektit që kryente shërbime publike dhe, për rrjedhojë, nuk është dëshmuar se kishte ndalesë ligjore për dhurimin e mjeteve ndaj partisë politike.

Vendimi i Apelit është përfundimtar dhe i ekzekutueshëm. Ai është marrë vetëm pesë ditë para skadimit të plotë të afatit të parashkrimit të veprës për të cilën akuzohej Gruevski.

Me aktgjykimin lirues të formës së prerë, VMRO-DPMNE nuk përballet më me rrezikun e konfiskimit të selisë së saj dhe rreth 30 pronave të tjera që ishin objekt i procedurës gjyqësore.

Rasti “Talir 2” nisi nga ish-Prokuroria Speciale Publike dhe u gjykua për rreth shtatë vjet. Në vitin 2022, Gruevski ishte dënuar me gjashtë vjet burg, ndërsa Gjykata kishte urdhëruar edhe konfiskimin e pasurisë së VMRO-DPMNE-së. Megjithatë, Apeli në vitin 2024 e anuloi aktgjykimin dhe e ktheu lëndën në rigjykim, duke iu referuar edhe ndryshimeve të Kodit Penal të miratuara në vitin 2023.

Në rigjykim, më 14 korrik 2026, Gjykata Penale e Shkupit e liroi Gruevskin nga përgjegjësia. Prokuroria e kishte ndryshuar përshkrimin e veprës penale, ndërsa gjykata vlerësoi se pas ndryshimeve ligjore nuk ishin plotësuar elementet e nevojshme për dënim.

Ish-prokurorja Lençe Ristovska, e cila e kishte përfaqësuar rastin, kishte paralajmëruar se një aktgjykim lirues i formës së prerë e vështirëson edhe mundësinë për konfiskimin e pasurisë së VMRO-DPMNE-së në një procedurë të veçantë.

Selinë e VMRO-DPMNE-së e ndërtoi kompania “Beton”, e cila në atë periudhë përfitonte tenderë publikë. Sipas aktakuzës, partia kishte përfituar në mënyrë të kundërligjshme më shumë se tetë milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *