Eksperti i Prokurorisë: Gjendja e objektit në vitin 2012 nuk shkaktoi pasojat e zjarrit

Profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup, Goran Markovski, ekspert i angazhuar nga Prokuroria Publike, po u përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes në lidhje me ekspertizën për shkaqet dhe pasojat e zjarrit.

Gjatë marrjes në pyetje, avokati e pyeti nëse Markovski pajtohet se gjendja e objektit në ditën kur ai ishte dhënë me qira, në dhjetor të vitit 2012, nuk ishte shkak për pasojat e zjarrit.

“Po, për pasoja të tilla, pajtohem!”, u përgjigj Markovski.

Në seancën e kaluar, nga ekspertiza u evidentuan një sërë lëshimesh lidhur me objektin dhe veprimet e institucioneve kompetente. Ndër to janë mungesa e dokumentacionit të duhur teknik, mosangazhimi i kryerësit profesional dhe mbikëqyrjes, mungesa e kontrollit të cilësisë dhe mosndërmarrja e të gjitha masave të parapara për mbrojtje nga zjarri.

Gjithashtu, nuk ishte kryer mbikëqyrje inspektuese nga inspektori i autorizuar i ndërtimtarisë dhe nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Tregut nuk kishte konstatuar përmbushjen ose mospërmbushjen e kushteve minimale teknike.

Në ekspertizë është konstatuar edhe se Ministria e Punëve të Brendshme kishte dhënë pëlqim, pavarësisht mangësive në zgjidhjen e komunikacionit.

Ekspertiza dhe pyetjet e mbrojtjes vazhdojnë, ndërsa në fokus mbeten shkaqet e zjarrit dhe lidhja shkakësore mes gjendjes së objektit, ndërhyrjeve të mëvonshme dhe pasojave të zjarrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *