Jotova: Bullgaria nuk do të heqë dorë nga bullgarët në Maqedoninë e Veriut
Presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, deklaroi se Sofja nuk do të heqë dorë nga bullgarët në Maqedoninë e Veriut dhe do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e tyre.
“Ne nuk do të heqim dorë nga ju dhe do t’i mbrojmë të drejtat tuaja, të drejtat e çdo njeriu”, tha Jotova, duke theksuar se mes dy vendeve ekziston një histori e përbashkët.
Ajo bëri thirrje që politikanët dhe shoqëria t’i kundërvihen gjuhës së urrejtjes dhe ndarjeve.
Deklarata e Jotovës vjen në një kohë kur procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut mbetet i bllokuar për shkak të çështjeve të hapura me Bullgarinë. Për vazhdimin e procesit negociues me BE-në, vendi duhet të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë bullgarët dhe komunitete të tjera në të.
Për ndryshimet kushtetuese nevojitet shumicë prej dy të tretash në Kuvend, ndërsa Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i miratojë ato në kushtet aktuale.
Maqedonia e Veriut i nisi bisedimet qasëse me BE-në më 19 korrik 2022, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez.

