Çekia ofron ndihmë për zgjidhjen e kontestit Shkup–Sofje
Çekia është e gatshme të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, në kuadër të mosmarrëveshjes që po pengon avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Këtë e deklaroi ministri i Jashtëm çek Petr Macinka gjatë vizitës së tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Në konferencën e përbashkët për media në Ohër me homologun e tij Timço Mucunski, Macinka tha se Praga ka marrëdhënie të mira si me Shkupin, ashtu edhe me Sofjen dhe se dëshiron të kontribuojë në tejkalimin e mosmarrëveshjes.
Ai paralajmëroi se çështja mund të jetë pjesë e bisedimeve edhe gjatë vizitës së kryeministrit çek Andrej Babiš në Bullgari, e cila pritet të zhvillohet pas rreth tre javësh.
“Qëllimi është që mosmarrëveshja të tejkalohet dhe të arrihet një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët”, deklaroi Macinka.
Sipas tij, Bashkimi Evropian ka interes të fortë për zgjerimin dhe për heqjen e pengesave që e ngadalësojnë përparimin e Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi gjithashtu se Çekia mbështet ruajtjen e parimit të konsensusit në vendimmarrjen për çështjet e zgjerimit të BE-së.
Nga ana tjetër, ministri Timço Mucunski tha se Maqedonia e Veriut është e gatshme të diskutojë për gjetjen e një zgjidhjeje me Bullgarinë, por theksoi se çështjet që lidhen me gjuhën maqedonase, identitetin, historinë dhe kulturën nuk mund të jenë objekt negociatash dhe as kusht për përparimin drejt BE-së.
“Nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar, por një proces të drejtë dhe evropian”, tha Mucunski, duke shtuar se vendi është i gatshëm të zbatojë reformat dhe të përmbushë standardet evropiane.
Për mbështetjen e Çekisë foli edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila priti Macinkën. Ajo theksoi se procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje politike dhe teknike, por edhe çështje e sigurisë evropiane.
Macinka, nga ana tjetër, deklaroi se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe se Republikës Çeke i nevojiten aleatë me të kaluar, mentalitet dhe kulturë të ngjashme.
Maqedonia e Veriut prej vitesh përballet me pengesa në rrugën drejt BE-së. Sipas kornizës së miratuar në vitin 2022, vendi duhet të bëjë ndryshime kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë, para se të mund të avancojë në fazën tjetër të procesit negociues.
Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese pa garanci se ato nuk do të përdoren për bllokada të reja në procesin e integrimit evropian.

