Prokurorët më 28 tetor zgjedhin pasardhësin e Islam Abazit

Më 28 tetor, prokurorët publikë do të votojnë për kreun e ri të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, ka konfirmuar për Tellma se sot ka nënshkruar shpalljen për zgjedhjen e drejtuesit të kësaj prokurorie dhe e ka dërguar për publikim në Gazetën Zyrtare, transmeton Portalb.mk.

Afati për paraqitjen e kandidaturave është 15 ditë dhe fillon të rrjedhë nga dita e publikimit të shpalljes.

Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, për këtë pozitë mund të kandidojë një prokuror publik me të paktën gjashtë vjet përvojë të pandërprerë si prokuror deri në momentin e aplikimit, i cili është vlerësuar pozitivisht gjatë tri viteve të fundit.

Mandati aktual është katër vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Ndërkohë, ligji i ri që ka mbetur në procedurë parlamentare për shkak të mungesës së shumicës prej dy të tretash parashikon mandat gjashtëvjeçar pa mundësi rizgjedhjeje.

Kjo do të jetë hera e dytë që prokurorët nga të gjitha prokuroritë e vendit zgjedhin kreun e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Në zgjedhjet e kaluara, nga katër kandidatë, më së shumti vota mori Islam Abazi. Zgjedhja e tij u shoqërua me reagime publike pas publikimit të fotografive të tij me të afërm të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Mes emrave që përmenden si kandidatë të mundshëm këtë herë janë Iskra Haxhi-Vasileva, Spasenka Andonova, Vlladimir Milloshevski, Aleksandar Markovski dhe Jovan Cvetanovski. Edhe kreu aktual, Islam Abazi, nuk e ka përjashtuar mundësinë për të kandiduar për një mandat të ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *