Ethet e Nilit Perëndimor marrin viktimën e katërt në Maqedoninë e Veriut
Një tjetër pacient ka humbur jetën nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, duke e çuar në katër numrin e viktimave nga kjo sëmundje.
Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, bëri të ditur se pacienti kishte qenë i hospitalizuar më herët në klinikë për 27 ditë.
Ndërkohë, një pacient 24-vjeçar është hospitalizuar me infeksion neuroinvaziv dhe po trajtohet si rast i dyshuar për infeksion me virusin e Nilit Perëndimor. Te pacientja e hospitalizuar një ditë më parë është konfirmuar prania e virusit.
Aktualisht, në Klinikën për Sëmundje Infektive po trajtohen 20 pacientë me ethe të Nilit Perëndimor. Prej tyre, 18 raste janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa dy konsiderohen klinikisht të dyshuara. Pesë pacientë janë në kujdes intensiv për shkak të gjendjes më të rëndë shëndetësore.
Deri tani, në vend janë konfirmuar më shumë se 35 raste, ndërsa katër persona kanë ndërruar jetë.
Ethet e Nilit Perëndimor shkaktohen nga një virus që transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Format e rënda mund të shkaktojnë komplikime neurologjike, ndërsa rreziku është më i madh te të moshuarit, personat me imunitet të dobësuar dhe ata me sëmundje kronike.
Nuk ekziston një terapi specifike antivirale për këtë infeksion. Trajtimi fokusohet në lehtësimin e simptomave, pushimin dhe marrjen e mjaftueshme të lëngjeve, ndërsa rastet e rënda kërkojnë hospitalizim.
Autoritetet rekomandojnë mbrojtje nga pickimet e mushkonjave përmes përdorimit të repelentëve, veshjeve të gjata, rrjetave mbrojtëse dhe eliminimit të ujit të ndenjur, ku mushkonjat shumohen.
Në rast të temperaturës së lartë, dhimbjes së fortë të kokës, qafës së shtangur, konfuzionit ose dobësisë së gjymtyrëve, rekomandohet kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore.

