Pacientët onkologjikë protestojnë nesër para Ministrisë së Shëndetësisë për mungesën e terapisë
Pacientët onkologjikë do të mbajnë nesër një protestë simbolike para Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar zgjidhje për mungesën e vazhdueshme të terapisë në Klinikën e Onkologjisë.
Për shkak të temperaturave të larta, në protestë do të marrin pjesë vetëm disa pacientë, me qëllim që t’u rikujtojnë institucioneve se mungesa e barnave onkologjike vazhdon të mbetet një problem serioz.
Ana Marjanoviq nga shoqata “Hema-Onko” tha se pacientët përballen vazhdimisht me pasiguri kur kthehen nga Klinika pa e marrë terapinë e planifikuar.
Ajo theksoi se, edhe pse pritej që këto probleme t’i përkisnin së kaluarës, mungesat e barnave vazhdojnë të përsëriten. Sipas saj, që nga hyrja në fuqi e buxhetit të ri në muajin maj, tri herë kanë munguar barna të caktuara në Klinikën e Onkologjisë, duke përfshirë jo vetëm terapinë biologjike, por edhe citostatikë dhe barna nga lista pozitive.
Nga ana tjetër, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Igor Stojkovski, deklaroi se shumica e preparateve tashmë kanë mbërritur në klinikë, ndërsa pjesa e mbetur pritet të jetë në dispozicion gjatë kësaj jave.
Sipas tij, vonesat kanë ardhur si pasojë e rritjes së numrit të pacientëve, konsumit më të madh të barnave, periudhës mes dy furnizimeve publike dhe mungesës së pjesshme të preparateve te distributorët. Ai siguroi se situata po tejkalohet në koordinim me Fondin e Sigurimit Shëndetësor, Ministrinë e Shëndetësisë dhe distributorët, duke theksuar se trajtimi i pacientëve nuk është vënë në rrezik.
Pacientët onkologjikë prej vitesh kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për furnizimin me terapi, ndërsa vazhdojnë të alarmojnë edhe për kushtet e vështira në Klinikën e Onkologjisë, mbingarkesën me pacientë dhe problemet me skriningjet.

