Perinski paralajmëron kontrolle të rrepta për pushimet mjekësore shumëvjeçare, rastet me parregullsi do të dërgohen në Prokurori

Drejtori i ri i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Zllatko Perinski, ka paralajmëruar ndryshime në sistemin e kontrollit të pushimeve mjekësore, duke njoftuar se tashmë po verifikohen edhe raste të pushimeve që zgjasin me vite.

Sipas tij, deri më tani Fondi nuk ka kontrolluar pushimet mjekësore më të vjetra se 12 muaj, ndonëse, sipas ligjit, ato nuk duhet të vazhdojnë përtej kësaj periudhe. Aktualisht janë nën kontroll pushime që zgjasin nga një deri në tre vjet, nga tre deri në pesë vjet, si dhe raste që zgjasin më shumë se pesë vjet.

Perinski theksoi se, nëse gjatë kontrolleve konstatohen parregullsi, rastet do t’i përcillen Prokurorisë për procedim të mëtejshëm.

Ai bëri të ditur se numri i pushimeve të gjata mjekësore mbetet relativisht i qëndrueshëm, rreth 25 mijë në vit, por shpenzimet që Fondi paguan për to janë rritur ndjeshëm.

Ndër reformat e paralajmëruara janë edhe ulja e rrjedhjes së mjeteve për trajtimet jashtë vendit, kontroll më i madh i shpenzimeve për pajisjet ortopedike, si dhe forcimi i mbikëqyrjes së pushimeve mjekësore.

Këto masa vijnë pasi revizioni konstatoi se në Fondin për Sigurim Shëndetësor vazhdojnë të ekzistojnë mospërputhje në monitorimin e efikasitetit të trajtimeve jashtë vendit, në financimin e shërbimeve nga institucionet shëndetësore publike, si dhe në përditësimin e çmimeve referente për shërbimet shëndetësore dhe listën e barnave që mbulohen nga Fondi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *