BDI: Nuk do ta lejojmë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, VLEN: Po veproni kundër Marrëveshjes së Ohrit
Deputeti i BDI-së, Ilir Hasani, deklaroi sot se opozita nuk do të lejojë miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë, duke akuzuar se ligji po mbahet në pritje për t’u “kontrabanduar” në Kuvend.
“Ne jemi këmbëngulës në mbrojtjen e konceptit tonë se ky ligj nuk duhet të kalojë dhe se ne si opozitë e kemi shumicën e Badenterit. Ligji për Përfaqësim të Drejtë aktualisht është i varur pas derës dhe pret momentin për t’u kontrabanduar, gjë që mendoj se nuk do ta lejojmë. Nëse kryetari i Kuvendit e vendos në rend dite, ne do ta tejkalojmë me vota, përkatësisht ky ligj nuk do të kalojë”, tha Hasani.
Nga VLEN reaguan duke akuzuar BDI-në se, përmes bllokimit të ligjit, po vepron kundër Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
“BDI-ja tashmë është demaskuar plotësisht. Qytetarët prej kohësh ua njohin mënyrën e veprimit. Pas retorikës së tyre patriotike kanë mbetur vetëm tenderistë që luftojnë për poste, privilegje dhe mundësinë për t’i mbushur sërish xhepat e tyre”, deklaroi Driton Sulejmani nga VLEN.
Ai shtoi se nëse BDI vazhdon ta bllokojë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe të veprojë kundër Marrëveshjes së Ohrit, do të qëndrojë edhe më gjatë në opozitë.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe iu dorëzua Kuvendit më 8 maj.
Në Maqedoninë e Veriut, prej më shumë se dy vitesh, nuk ka një zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit në institucionet shtetërore.
Kjo situatë pasoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të RMV-së, e cila më 9 tetor 2024, me shumicë votash, e shfuqizoi mekanizmin e Balancuesit, që rregullonte përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas një nisme të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i cili kishte vlerësuar se mekanizmi mund të keqpërdorej gjatë proceseve të punësimit.

