Kamioni me “lesh guri” fshehte 5 mijë pako cigare, kapet në Bogorodicë
Një ngarkesë e dyshimtë e deklaruar si material ndërtimor ka përfunduar në duart e doganierëve në pikën kufitare Bogorodicë, ku janë zbuluar 5.000 pako cigare të padeklaruara, me vlerë rreth 9 milionë denarë.
Gjatë kontrollit të një kamioni të deklaruar për transit nga Greqia drejt Serbisë, shërbimet doganore kanë zbuluar 100 kuti të fshehura mbi paletat me mallin e deklaruar. Në secilën kuti kishte nga 50 pako cigare pa pulla akcize.
Shoferi i kamionit, shtetas i Serbisë, është arrestuar nën dyshimin se ka tentuar të kontrabandojë cigaret. Drejtoria Doganore njoftoi se ndaj tij është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli për veprën penale “kontrabandë”.
Kamioni, sipas dokumentacionit të paraqitur, transportonte lesh guri, ndërsa gjatë kontrollit të detajuar është zbuluar se mbi këtë ngarkesë ishin vendosur kutitë me cigare, të cilat nuk ishin deklaruar.

