🎶 Çarshia e Vjetër e Shkupit bëhet skenë e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”
Në organizim të Komunës së Çairit, nga sot deri më 26 korrik do të mbahet edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”.
Nën drejtimin artistik të artisteve të operës Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti, festivali do të sjellë artistë të njohur vendas dhe ndërkombëtarë, me koncerte që do të zhvillohen në hapësirat autentike të Suli Hanit dhe Kurshumli Hanit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, tha se festivali synon të krijojë një traditë të re artistike, të afirmojë muzikën klasike, të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar dhe të promovojë trashëgiminë historike e kulturore të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Sipas bashkëdrejtores artistike, sopranos Dëshira Ahmeti, festivali ka potencial të shndërrohet në një platformë të rëndësishme kulturore rajonale, ndërsa Inva Mula e cilësoi Çarshinë e Vjetër si një skenë të jashtëzakonshme për muzikën klasike.
Festivali “Çarshia” synon që përmes muzikës të krijojë një urë mes artistëve, kulturave dhe publikut, duke e kthyer një nga hapësirat më të rëndësishme historike të Shkupit në një skenë të veçantë të dialogut kulturor.

