Gjykata u cakton 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në Gostivar
Gjykata Penale në Gostivar ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për tre të dyshuarit në rastin e ndotjes së ujit në sistemin e ujësjellësit të Gostivarit, duke pranuar propozimin e Prokurorisë.
Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se masa është shqiptuar duke marrë parasysh se vepra penale për të cilën dyshohen parashikon dënim me të paktën katër vjet burg, si dhe ekziston rreziku i arratisjes ose ndikimit mbi dëshmitarët nëse të dyshuarit mbrohen në liri.
“Gjykatësi në procedurë paraprake e pranoi propozimin e Prokurorisë dhe solli vendim për caktimin e paraburgimit 30-ditor”, deklaroi Veselinova.
Para gjykatës u paraqitën ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani, udhëheqësi teknik Leon Nuredini dhe përgjegjësi i Departamentit për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore, Vadedin Dauti.
Ata dyshohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës”, të shkaktuara nga ndotja e ujit të pijshëm. Hetimin e udhëheq prokurori Hazbi Iseni, ndërsa Prokuroria nuk përjashton mundësinë që procedura të zgjerohet edhe ndaj personave apo institucioneve të tjera.
Sipas Prokurorisë, më 25 qershor të dyshuarit kanë urdhëruar vendosjen e tre pompave zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor pranë sistemit të furnizimit me ujë, me qëllim testimin e presionit. Gjatë inspektimit më 16 korrik është konstatuar se dy prej pompave vazhdonin të funksiononin, duke transportuar ujë të ndotur drejt sistemit të ujit të pijshëm.
Analizat e Institutit të Shëndetit Publik kanë treguar se uji në kanalin sipërfaqësor ishte shumë i ndotur, me përqendrim bakteresh rreth 48 herë mbi kufirin e lejuar, ndërsa në një mostër të marrë nga rrjeti i ujësjellësit është konstatuar edhe nivel i lartë i klorit.
Prokuroria thekson se hetimet janë ende në fazën fillestare dhe po vazhdojnë për të përcaktuar lidhjen shkak-pasojë ndërmjet ndotjes së ujit dhe epidemisë gastrointestinale që ka prekur mijëra qytetarë në Gostivar.

