Prokuroria: Tre zyrtarë të “Komunalecit” nën hetim për ndotjen e ujit në Gostivar, analizat zbulojnë nivel alarmues bakteresh
Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka nisur procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec”, të dyshuar për veprën penale “Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës”, pasi dyshohet se me veprimet e tyre kanë shkaktuar ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar.
Të dyshuarit janë ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ndërmarrjes, udhëheqësi teknik i sektorit për punë teknike dhe përgjegjësi i departamentit për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore. Sipas Prokurorisë, ata më 25 qershor kanë urdhëruar vendosjen e tre pompave zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor pranë sistemit të ujësjellësit, me qëllim testimin e presionit të ujit.
Gjatë këqyrjes së kryer më 16 korrik, është konstatuar se dy prej pompave vazhdonin të ishin në funksion, duke transportuar ujë nga kanali i hapur në sistemin e ujit të pijshëm. Si pasojë, sipas hetimeve, ka ndodhur përzierja e ujit të ndotur me ujin e rrjetit të furnizimit.
Analizat e Institutit për Shëndet Publik kanë treguar se uji në kanalin sipërfaqësor përmbante 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e ujit të pijshëm janë gjetur 39 cfu/100 ml baktere koliforme, ndonëse standardi i lejuar është zero, si dhe rritje e kolonive bakteriale aerobike mezofile.
Gjithashtu, në një mostër të marrë nga një çezmë në rrugën JNA në Gostivar është konstatuar përqendrim i klorit rezidual prej 1,1 mg/l, mbi kufirin maksimal të lejuar prej 0,5 mg/l.
Prokuroria vlerëson se këto rezultate tregojnë se uji është bërë i papërdorshëm dhe i pasigurt për konsum, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit. Të tre të dyshuarit janë arrestuar dhe gjatë ditës pritet të vendoset për masat e sigurimit ndaj tyre.
Gostivari vazhdon të përballet me epidemi gastrointestinale, me mijëra qytetarë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për simptoma si diarre, të vjella dhe dehidrim. Pas dyshimeve për ndotjen e ujit, institucionet ndaluan përdorimin e ujit të rrjetit për pije dhe gatim deri në përfundimin e analizave dhe sanimin e situatës.

