VLEN kërkon përgjegjësi për situatën në Gostivar: Askush të mos mbetet mbi ligjin
Koalicioni VLEN ka përshëndetur reagimin e institucioneve dhe nisjen e procedurave për hetimin e përgjegjësisë lidhur me situatën epidemiologjike në Gostivar, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjegjësi për të gjithë ata që kanë kontribuar në krijimin e kësaj gjendjeje.
Në reagimin e tij, VLEN thekson se çdo person që, me veprim ose mosveprim, ka ndikuar në këtë situatë duhet të përballet me drejtësinë.
“Shëndeti i mijëra qytetarëve të Gostivarit është cenuar si pasojë e neglizhencës dhe keqqeverisjes, ndërsa kjo nuk guxon të kalojë pa përgjegjësi,” thuhet në reagim, ku kërkohet një hetim i thellë, i pavarur dhe gjithëpërfshirës.
Koalicioni vlerëson gjithashtu mobilizimin e institucioneve qendrore për menaxhimin e situatës, duke theksuar se qytetarëve po u ofrohet kujdesi i nevojshëm shëndetësor dhe furnizim me ujë të pijshëm deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit.
Në reagimin e tij, VLEN akuzon ish-drejtuesit lokalë dhe politikë për keqqeverisje shumëvjeçare, duke pohuar se pasojat e saj po ndihen sot nga qytetarët.
“Edhe një herë po dëshmohet se keqqeverisja shumëvjeçare ka një çmim, të cilin sot po e paguajnë qytetarët: Gostivari pa ujë të pijshëm, Zajazi pa kanalizim”, thuhet në deklaratë.
VLEN drejton kritika edhe ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, duke vlerësuar se është e papranueshme që ata të kërkojnë sërish besimin e qytetarëve, ndërsa, sipas koalicionit, pasojat e qeverisjes së tyre vazhdojnë të ndikojnë në jetën dhe shëndetin e banorëve.

