Opozita shqiptare akuzon për shkelje procedurash në thirrjen e Komisionit për Arsim
Deputetët e opozitës shqiptare kanë reaguar ndaj mënyrës së thirrjes së seancës së Komisionit për Arsim, duke akuzuar shumicën parlamentare për shkelje të Rregullores së Kuvendit.
Sipas tyre, të premten pasdite, në orën 16:16, deputetët u njoftuan se seanca do të mbahej vetëm 14 minuta më vonë, në orën 16:30. Më pas, seanca u anulua dhe u ricaktua për ditën e sotme.
Deputetja Rina Ajdari kërkoi sqarime për mosrespektimin e afateve procedurale, duke theksuar se Rregullorja e Kuvendit parasheh që nga caktimi deri në mbajtjen e seancës së një trupi punues të kalojnë të paktën pesë ditë.
“Caktohet seancë e trupit punues të Komisionit për Arsim dhe nuk respektohet afati prej pesë ditësh nga caktimi deri në mbajtjen e seancës. Sipas nenit 126, paragrafi 4, nuk morëm ndonjë shpjegim logjik, përveç arsyetimit se bëhet fjalë për urgjencë. Çfarë urgjence kishte për thirrjen e seancës së Komisionit dhe të seancës plenare?”, deklaroi Ajdari.
Edhe deputeti Elmi Aziri kërkoi ndërprerjen e seancës, duke argumentuar se nuk ishin përmbushur kushtet ligjore dhe procedurale për zhvillimin e saj. Ai vlerësoi se mënyra e organizimit të mbledhjes bie ndesh me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.

