Raporti i KE-së për sundimin e ligjit, Mickoski e përshëndet, LSDM flet për ndërhyrje në gjyqësor
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për sundimin e ligjit ka nxitur përplasje mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi raportin si një nga më të mirët deri më tani, pavarësisht vërejtjeve për pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë.
Mickoski deklaroi se do të vazhdojë të kritikojë punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve derisa, sipas tij, të ketë rezultate konkrete në ndarjen e drejtësisë. Ai gjithashtu theksoi se nuk do të rritet buxheti për gjyqësorin dhe prokurorinë, duke argumentuar se institucionet nuk e kanë merituar një gjë të tillë.
Nga ana tjetër, LSDM reagoi duke vlerësuar se raporti konfirmon ndërhyrjen e pushtetit në sistemin e drejtësisë, mungesën e reformave dhe problemet me korrupsionin. Zëdhënësja e partisë, Bogdanka Kuzeska, akuzoi kryeministrin për ndikim politik në procesin e zgjedhjes së Prokurorit Publik dhe për diskreditimin publik të prokurorëve.
Në raportin e Komisionit Evropian theksohet se ndërhyrjet dhe presionet nga degët e tjera të pushtetit vazhdojnë të cenojnë pavarësinë e gjyqësorit, ndërsa autonomia e Prokurorisë dobësohet edhe nga financimi i pamjaftueshëm. Dokumenti ngre shqetësime edhe për procedurën e shkarkimit të ish-prokurorit publik Lupço Kocevski, duke paralajmëruar rrezik nga politizimi.
Komisioni Evropian vlerëson gjithashtu se efikasiteti i sistemit gjyqësor vazhdon të bjerë dhe se besimi i publikut në pavarësinë e gjyqësorit mbetet në nivel të ulët.

