Kasami: BDI të mos e përfshijë Shqipërinë në betejën politike, nesër shkojmë në Tiranë për kafe
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka komentuar ngjarjen e ndodhur në pikën kufitare “Qafë Thanë”, ku ishin të pranishëm deputetët Bekim Qoku, Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani.
Kasami deklaroi se zyrtarët e VLEN-it kanë poseduar pasaporta diplomatike dhe kanë pasur mundësi të hyjnë në Shqipëri, ndërsa akuzoi BDI-në për keqinformim të institucioneve shqiptare.
“Lusim BDI-në që betejën politike ta vazhdojmë këtu, brenda proceseve demokratike, brenda Kushtetutës dhe ligjeve dhe të mos e involvojë një shtet fqinj, në këtë rast Shqipërinë”, deklaroi Kasami.
Ai njoftoi se eksponentë të VLEN-it nesër do të udhëtojnë drejt Tiranës, duke shtuar se “do të shkojmë për kafe”.
Kasami mohoi gjithashtu pretendimet se VLEN-i ka qenë i përfshirë në protestat e organizuara kundër Qeverisë së Edi Ramës në Shqipëri.
“VLEN betejën politike e bën në Maqedoninë e Veriut, nuk e bën në Tiranë. Nëse ka pasur individë që janë identifikuar me VLEN, është e drejtë e tyre qytetare të shprehin qëndrimet e tyre. E kemi sqaruar edhe me ministrin e Jashtëm, z. Hoxha, se VLEN në asnjë formë nuk ka qenë i përfshirë në atë që po ndodh në Tiranë”, tha Kasami.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare një ditë më parë njoftuan se zyrtarëve të VLEN-it nuk u ishte ndaluar hyrja në Shqipëri. Sipas sqarimit zyrtar, hyrja iu refuzua vetëm personit të katërt që ndodhej me ta për shkak të problemeve me ligjin, ndërsa zyrtarët e VLEN-it vendosën të mos e vazhdojnë udhëtimin.

