Meidani u përgjigjet kritikave: Sulmet flasin më shumë për ata që i bëjnë sesa për mua
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar ndaj kritikave dhe sulmeve të ditëve të fundit, gjatë një takimi me studentët në Kampin Rinor në Jalë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, Meidani deklaroi se sulmet personale nuk e shqetësojnë, duke vlerësuar se ato pasqyrojnë më shumë ata që i bëjnë sesa personin ndaj të cilit drejtohen.
“Sulmet e disa individëve ndaj meje nuk më shqetësojnë. Flasin më shumë për ta sesa për mua. Kur mungon performanca, kur mungon udhëheqja me dinjitet dhe kur askush prej tyre nuk garanton dot standardet evropiane, akuza mbetet e vetmja gjuhë që dinë të flasin. Unë nuk do të ulem në atë nivel, as kam kohën e ditës t’ua jap”, tha Meidani.
Ai theksoi se do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë, edukimin, boshtin familjar dhe rrugën evropiane, duke nënvizuar se këto angazhime maten me punë, standarde dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Në fund të fjalës së tij, ambasadori recitoi poezinë “No Enemies?” të autorit Charles Mackay, duke veçuar mesazhin se ata që angazhohen për detyrën, drejtësinë dhe ndryshimin, në mënyrë të pashmangshme krijojnë edhe kundërshtarë.
Deklaratat e Meidanit vijnë pas polemikave dhe reagimeve publike që janë zhvilluar ditët e fundit në rrjetet sociale dhe në skenën politike.

