Përplasjet për Kodin Zgjedhor vazhdojnë, partitë përplasen për votën e diasporës

Debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor vazhdon të përplasë partitë politike. Në fokus mbetet mënyra e votimit të diasporës, ndërsa LSDM dhe VMRO-DPMNE shkëmbejnë akuza për qëllimet e ndryshimeve ligjore.

LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në se nuk kërkon reforma, por tenton të krijojë mundësi për manipulim të votave të diasporës. Nga partia opozitare thonë se çdo ndryshim duhet të garantojë kontroll, transparencë dhe mbrojtje të vullnetit të qytetarëve.

Nga VMRO-DPMNE i hodhën poshtë akuzat dhe kërkuan që LSDM, BDI dhe Levica të arrijnë marrëveshje mes tyre për çështjet e hapura në Kodin Zgjedhor. Sipas tyre, do të mbështesin çdo zgjidhje që do t’i mundësojë diasporës votim elektronik ose përmes postës.

VMRO-DPMNE thotë se prioritet është që qytetarët jashtë vendit të kenë mundësi reale për të votuar, ndërsa partitë opozitare kërkojnë garanci për një proces të sigurt dhe transparent.

Edhe BDI dhe VLEN kanë reaguar për këtë çështje. BDI akuzon VMRO-DPMNE-në se është tërhequr nga marrëveshja për votimin elektronik të diasporës, ndërsa VLEN kërkon një model votimi që do të sigurojë besueshmëri dhe transparencë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *