Diagnozë e gabuar, përkeqësim i gjendjes dhe vdekje: Prokuroria akuzon pesë mjekë në Manastir

Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka ngritur propozimakuzë ndaj pesë mjekëve-internistë të Spitalit Klinik “Dr. Trifun Panovski”, për veprën penale “Vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve”.

Sipas Prokurorisë, mjekët akuzohen se gjatë periudhës nga 28 maji deri më 4 qershor 2024, në Repartin e Mjekësisë Interne, kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme një paciente 40-vjeçare, duke shkaktuar përkeqësim të gjendjes së saj shëndetësore, e cila më pas ka përfunduar me vdekje.

Pacientja fillimisht ishte paraqitur në spital pas një kontrolli te mjeku amë, i cili kishte dyshuar për inflamacion të venave, përkatësisht tromboflebit. Megjithatë, sipas aktakuzës, pas kontrollit fillestar në Repartin e Mjekësisë Interne, pa një anamnezë të plotë dhe analiza të detajuara, asaj i ishte vendosur diagnoza e artritit reumatoid dhe i ishte dhënë terapi, pas së cilës ishte lëshuar në shtëpi.

Prokuroria pretendon se në këtë mënyrë nuk ishte zbuluar me kohë tromboza dhe nuk ishte ndërmarrë trajtimi përkatës, duke humbur mundësinë për parandalimin ose kufizimin e përparimit të gjendjes.

Më 1 qershor 2024, pacientja u rikthye në spital me dhimbje të forta në bark dhe gjendje të përkeqësuar. Edhe pse ishte shtruar dhe analizat laboratorike dhe biokimike tregonin vlera jonormale, sipas Prokurorisë, gjatë katër ditëve në vijim nuk u ndërmorën ekzaminime shtesë për të përcaktuar shkakun e gjendjes dhe terapinë e nevojshme.

Gjendja e pacientes vazhdoi të përkeqësohej dhe më 4 qershor ajo kërkoi ndihmë në një klinikë private në Shkup. Gjatë ndërhyrjes urgjente kirurgjikale u konstatua trombozë e arterieve mezenterike të sipërme dhe të poshtme, si dhe gangrenë e plotë e zorrës së hollë dhe të trashë.

Sipas Prokurorisë, në atë moment gjendja e pacientes ishte tashmë e paoperueshme. Ajo ndërroi jetë më 5 qershor 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *