Rokadë në diplomacinë shqiptare – Denion Meidani në Prishtinë, Malaj pritet të zëvendësojë në Shkup
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka çuar përpara procedurat për ndryshimin e ambasadorëve shqiptarë në Shkup dhe Prishtinë.
Më 9 tetor, Komisioni Parlamentar për Punët e Jashtme pritet të zhvillojë dy dëgjesa për kandidaturat që parashikojnë një rokadë mes dy përfaqësive diplomatike.
Ambasadori aktual i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, pritet të paraqesë në komision platformën e tij për drejtimin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë.
Ndërkohë, Petrit Malaj, i cili prej rreth tre vitesh është ambasador i Shqipërisë në Kosovë, pritet të dëgjohet për kandidaturën e tij për ambasador në Shkup. Lëvizja është raportuar edhe më herët gjatë vitit, por tashmë procedura pritet të kalojë në fazën e dëgjesave parlamentare.
Për momentin nuk është bërë publik relacioni shoqërues i ministrit Ferit Hoxha, i cili do të sqaronte arsyet dhe kriteret mbi të cilat është propozuar kjo lëvizje diplomatike.
Kandidatura e Meidanit për Prishtinën vjen pas një mandati në Shkup gjatë të cilit ai ka pasur një prani të dukshme publike në çështjet që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, Meidani është përfshirë në çështje që kanë të bëjnë me komunitetin shqiptar, ndërsa ndër angazhimet e tij kanë qenë edhe promovimi i projekteve si One Stop Shop dhe shpërndarja e Abetares së Unifikuar.
Në mënyrë të veçantë, vëmendje mori qëndrimi i tij ndaj protestave të studentëve shqiptarë lidhur me zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Pikërisht në maj të këtij viti, mediat raportuan se mund të kishte një ndërprerje të parakohshme të mandatit të Meidanit në Shkup dhe se ai mund të zëvendësohej nga Petrit Malaj. Raportimet e lidhën këtë mundësi me pakënaqësi të pretenduara nga VMRO-DPMNE dhe VLEN ndaj qëndrimeve publike të ambasadorit. Këto pretendime u mohuan nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila i cilësoi ato si të pabazuara dhe deklaroi se lëvizjet diplomatike bazohen në analiza profesionale dhe institucionale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në maj, për një rokadë të mundshme mes Meidanit dhe Malajt raportoi edhe Top Channel, duke bërë të ditur se ndaj ambasadorit në Shkup kishte pasur pretendime për pakënaqësi nga faktorë politikë në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, ndryshimet nuk kufizohen vetëm te Shkupi dhe Prishtina. Javën e kaluar, Komisioni Parlamentar për Punët e Jashtme zhvilloi dëgjesën me ambasadorin shqiptar në Londër, Uran Ferizi, i cili është propozuar për të drejtuar Misionin e Shqipërisë në OSBE në Vjenë. Për momentin nuk është bërë e ditur kandidatura e re për postin e ambasadorit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe.
Nëse dëgjesat e 9 tetorit miratohen sipas procedurave përkatëse, rokada Meidani–Malaj do të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në dy prej vendeve më të afërta të rajonit.

