Forumi “DIGILOC” në Shkup: Fokus te transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në nivel lokal
Të premten, më 25 shtator 2026, në Qendrën e Burimeve Qytetare në Shkup do të mbahet forumi njëditor “Nga komunë e hapur drejt një komuniteti aktiv: Indeksi i Hapjes 2026 dhe pjesëmarrja qytetare në nivel lokal”. Ngjarja organizohet në kuadër të projektit “Transformimi Digjital në Nivel Lokal (DIGILOC) – Komuniteti i Përfshirë për Rezistencë ndaj Korrupsionit”, të financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica Mobilitas.
Forumi organizohet nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, Koalicioni Rural dhe Qendra për Inovacion Social Blink 42-21, ndërsa do të nisë në orën 10:30 dhe do të zhvillohet në gjuhën maqedonase.
Në fokus të forumit do të jetë forcimi i luftës kundër korrupsionit në nivel lokal përmes përfshirjes së qytetarëve, autoriteteve lokale, organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve dhe mediave.
Gjatë forumit do të prezantohen gjetjet e Indeksit të Hapjes së Vetëqeverisjes Lokale për vitin 2026, përmes të cilit qytetarët mund të informohen për nivelin e transparencës dhe llogaridhënies së komunave të tyre.
Gjithashtu, do të prezantohen rezultatet e mbështetjes mentoruese për 10 komuna, me fokus në rritjen e transparencës, si dhe mundësitë që ofron platforma digjitale mZaednica (mKomuniteti) për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse lokale.
Në forum pritet të marrin pjesë dhe të flasin përfaqësues të organizatave partnere, ndërsa fjalë përshëndetëse pritet të mbajnë Gonce Jakovleska nga Civica Mobilitas dhe Dançe Danillovska-Bajdevska, drejtoreshë e programeve në Fondacionin “Metamorfozis”. E ftuar si folëse është edhe Sanja Stankovska, përfaqësuese e Komunës së Kriva Pallankës.

