Sulm ndaj gjinekologut në ordinancë private, Prokuroria nis procedurë hetimore

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një personi, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunë”, në lidhje me sulmin ndaj një mjeku-gjinekolog në një ordinancë private.

Sipas dëshmive të siguruara deri më tani, ngjarja ka ndodhur më 16 shtator, në një ordinancë private në kuadër të Poliklinikës “Bukuresht”. I dyshuari, sipas Prokurorisë, ka kërcënuar dhe më pas ka sulmuar fizikisht mjekun, i cili në atë moment ndodhej në vendin e tij të punës.

Gjatë incidentit, mjeku është goditur disa herë, ndërsa sjellja e të dyshuarit ka shkaktuar ndjenjë frike, pasigurie dhe rreziku edhe te personat e tjerë që ndodheshin në ordinancë.

Për sigurimin e pranisë së të dyshuarit gjatë procedurës dhe parandalimin e incidenteve të tjera, prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake caktimin e disa masave të kujdesit. Ndër masat e propozuara është edhe ndalimi i të dyshuarit për t’iu afruar mjekut të dëmtuar dhe ordinancës ku ka ndodhur incidenti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *