Antikorrupsioni hap lëndë për financimin e festimeve, në fokus edhe konfliktet e mundshme të interesit

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, me iniciativën e vet, ka hapur lëndë për mënyrën e financimit të festimit të 35-vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut nga Lotaria Shtetërore. Nga Komisioni kanë bërë të ditur për “Sloboden Peçat” se në kuadër të lëndës do të shqyrtohen edhe pretendimet lidhur me konflikt të mundshëm interesi.

Vendimi vjen pas kritikave të opozitës, e cila prej tre ditësh kërkon hetim për mënyrën e organizimit dhe financimit të festimeve. Pikëpyetjet lidhen edhe me mungesën e dokumenteve zyrtare nga Lotaria Shtetërore për mënyrën se si janë ndarë mjetet dhe sa është paguar secili interpretues.

Në një konferencë për media është deklaruar se të dhënat për pagesat mund të mbeten të padisponueshme për publikun për shkak të klauzolave të konfidencialitetit në kontratat ndërmjet kompanisë “Stardust”, organizatore e ngjarjes, dhe artistëve.

Në fokus të Komisionit Antikorrupsion është edhe përbërja e komisionit të jashtëm që kishte vlerësuar programin e propozuar nga “Stardust”. Programi, prej rreth njëqind faqesh, ishte shqyrtuar nga një komision i përbërë nga Nikolçe Micevski, Zoran Stefanovski dhe Veselin Teoharov.

Sipas “Sloboden Peçat”, Micevski, i cili kishte qenë kryetar i komisionit vlerësues, më vonë figuron si autor i orkestrimeve për José Carreras, performanca e të cilit ishte pjesë e programit të festimeve. Gazeta e ka pyetur Komisionin Antikorrupsion nëse kjo paraqet konflikt interesi.

“Në kuadër të lëndës do të verifikohen pretendimet e përfshira në pyetjen tuaj”, janë përgjigjur nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Micevski gjithashtu është autor dhe aranzhues i muzikës së albumit “Izvor” të Karolina Goçevës, e cila lidhet me produksionin “Avalon”.

Komisioni Antikorrupsion ka bërë të ditur se, pas përcaktimit të gjendjes faktike, do të marrë vendim në një seancë publike.

Pikëpyetje të tjera lidhen me kohën e rezervimit të David Guettas. Sipas “Sloboden Peçat”, nga përfundimi i thirrjes publike deri në paralajmërimin e performancës së Guettas kanë kaluar vetëm tri ditë, prej të cilave dy kanë qenë ditë vikendi.

Gjithashtu, mbetet e hapur çështja nëse Kuvendi i Aksionarëve të Lotarisë Shtetërore ka marrë vendim për ndarjen e 4.8 milionë eurove nga fitimi i pashpërndarë i vitit 2024, siç parashihet me Ligjin për Shoqëritë Tregtare, apo mjetet janë ndarë pas një udhëzimi të Qeverisë.

Qeveria më 28 prill vendosi që organizimi i festimeve t’i besohej Lotarisë Shtetërore, e cila dy ditë më vonë publikoi thirrje për mbledhjen e ofertave. Thirrja zgjati pesë ditë pune dhe përmbante kërkesa që përkonin me programin e realizuar më pas, përfshirë një artist botëror të klasës A dhe një koncert me pjesëmarrje të të paktën 30 mijë personave.

Sipas Lotarisë Shtetërore, ofertën e vetme e dorëzoi kompania “Stardust”, e lidhur me Avalon.

Për shkak të mungesës së të dhënave të plota për vlerën e kontratave dhe shpenzimeve, janë ngritur pyetje publike për shumën e përgjithshme të shpenzuar dhe burimin e mjeteve.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se festimet, përfshirë performancën e David Guettas, nuk i kanë kushtuar asnjë denar buxhetit dhe qytetarëve. Ndërkohë, dokumentet e bëra publike tregojnë se organizimi është realizuar përmes Lotarisë Shtetërore dhe në kuadër të Ligjit për Sponsorizime dhe Donacione.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *