PROKURORIA MBYLL HETIMIN PËR SPITALET MODULARE. NUK KA PROVA PËR VEPËR PENALE PËR 19 SPITALE MODULARE – NUK GJENDEN KEQPËRDORIME
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas një hetimi të nisur në vitin 2021, nuk ka gjetur prova për keqpërdorim të pozitës zyrtare apo vepra të tjera penale lidhur me prokurimet për ndërtimin e 19 spitaleve modulare gjatë pandemisë së COVID-19.
Në kuadër të procedurës janë shqyrtuar dokumentacioni, kontratat, specifikimet teknike dhe procedurat e prokurimit nga disa institucione. Prokuroria ka konstatuar se prokurimet janë zhvilluar në përputhje me rregullat përkatëse, përfshirë procedurat e financuara nga Banka Botërore.
Është shqyrtuar edhe dokumentacioni pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë. Sipas dokumenteve të mbledhura, ekipi i Bankës Botërore kishte konstatuar se procedura e prokurimit ishte zhvilluar sipas rregullave të bankës dhe se pajisjet e dorëzuara përputheshin me specifikimet teknike.
Pas analizës së të gjitha provave, Prokuroria ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe se nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e procedurës.

