1.6 milionë euro për parkingun e Kuvendit – hapësira ku ishte planifikuar garazh shumëkatësh

Hapësira pranë Kuvendit, e cila prej vitesh është në qendër të debatit për ndërtimin e një garazhi shumëkatësh, tani do të shndërrohet në parking për automjetet e deputetëve dhe automjetet zyrtare.

Për rregullimin e hapësirës do të shpenzohen 101.951.456 denarë, ose rreth 1.6 milionë euro. Sipas të dhënave të Byrosë për Prokurime Publike, Kuvendi më 8 qershor ka lidhur kontratë me kompaninë “Stenton Gradba” SH.P.K. nga Orizari i Poshtëm i Manastirit.

Në terren tashmë janë vendosur barriera dhe kanë nisur punimet.

Nga Kuvendi thonë se hapësira ndodhet brenda zonës së sigurisë dhe, përveç pjesës para hyrjes kryesore, do të përdoret për parkimin e automjeteve për nevojat e Kuvendit.

Projekti parasheh heqjen e asfaltit ekzistues dhe vendosjen e pllakave të granitit, ndërtimin e shtigjeve dhe vendeve të parkimit, mbjelljen e pemëve, vendosjen e pajisjeve urbane dhe ndriçimit. Gjithashtu, do të ndërtohet një portë e re dhe do të vendoset sistem për kontrollin e hyrjes dhe daljes së automjeteve.

Por kjo hapësirë ka një histori të gjatë dhe të kushtueshme.

Me ndryshimin e planit urbanistik, aty ishte parashikuar ndërtimi i një garazhi shumëkatësh. Në vitin 2013, parcela prej 2.455 metrash katrorë u shit në ankand për rreth 333 mijë euro, ndërsa plani lejonte ndërtimin e një objekti deri në nëntë metra lartësi, me një pjesë të hapësirës të destinuar edhe për veprimtari afariste.

Leja për ndërtimin e garazhit u anulua në vitin 2018, por investitori e kundërshtoi vendimin përmes procedurave gjyqësore. Pas disa vitesh, vendimi i Komunës Qendër u shfuqizua dhe investitorit iu lejua të ndërtonte.

Në gusht të vitit 2024, kompania “Ango” e rrethoi hapësirën dhe nisi përgatitjet për ndërtimin e garazhit.

Megjithatë, projekti u përplas me çështjen e sigurisë së Kuvendit. Në shtator të vitit 2024, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ndërtimi i planifikuar rrezikonte sigurinë e parlamentit.

Më pas, Kuvendi e shpalli hapësirën përreth objektit zonë të sigurisë, duke ndaluar ndërtimin e garazhit dhe duke paralajmëruar kompensimin e kompanisë që kishte blerë parcelën.

Tani, në vend të garazhit shumëkatësh, në këtë hapësirë do të ndërtohet një parking i rregulluar për nevojat e Kuvendit, me një investim prej rreth 1.6 milionë eurosh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *