“50 euro në dorë për të martuar çiftin” – pretendime për ryshfet ndaj një ofiqari në Tetovë
Një rast i dyshuar për kërkesë ryshfeti nga një ofiqar në Tetovë po ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si zhvillohen kurorëzimet në terren. Një grua nga Tetova pretendon se ofiqari i ka kërkuar mbesës së saj edhe 50 euro në dorë, përveç tarifës prej 10.500 denarësh të paguar paraprakisht në llogarinë e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për shërbimin e kurorëzimit në një restorant, transmeton Slloboden Peçat.
Sipas rrëfimit të gruas, në tetor të vitit 2025 ajo së bashku me mbesën kishte shkuar në zyrën e gjendjes civile në Tetovë për të caktuar termin e kurorëzimit. Pasi kishin kryer pagesën zyrtare, ofiqari u kishte thënë se në ditën e dasmës duhej t’i jepnin edhe 50 euro në dorë, me arsyetimin se puna gjatë fundjavës nuk paguhej.
“Ofiqari na tha se mbesa duhej t’i paguante 50 euro në dorë, sepse atij nuk i paguhet puna gjatë fundjavës. Ai e tha këtë kaq lehtë, sikur të ishte diçka më se normale”, rrëfen gruaja.
Ajo pretendon se pasi ngriti pyetje lidhur me ligjshmërinë e kësaj kërkese, ofiqari kishte kontaktuar dhëndrin dhe i kishte thënë që ta tërhiqte kërkesën për kurorëzim, duke pretenduar se asnjë ofiqar tjetër nuk do të pranonte të dilte në terren për t’i martuar.
Megjithatë, sipas gruas, në ditën e dasmës në restorant, ofiqari mori 50 euro në dorë.
Pretendime të ngjashme ka bërë edhe një person tjetër, i cili thotë se i njëjti ofiqar i kishte kërkuar pagesë shtesë për kurorëzimin në restorant. Sipas tij, praktika të tilla në Tetovë zgjasin prej të paktën një viti.
“Ditën e dasmës nuk i dhashë para në restorant dhe më pas ai më shkaktoi probleme. Deri në fund nuk ma dha certifikatën e martesës”, ka deklaruar burimi.
Një punonjës i Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë në Tetovë, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, thotë se nuk e ka parë personalisht ofiqarin duke marrë para, por ka dëgjuar disa herë qytetarë që janë ankuar për raste të tilla.
Nga ana tjetër, udhëheqësja e degës së Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë në Tetovë, Imërzate Dauti, mohon se ka pasur ankesa të tilla dhe thotë se nuk ka dëgjuar për një rast të tillë.
“Ne gjithmonë u dalim në ndihmë qytetarëve dhe punojmë në përputhje me ligjin. Për momentin në terren kurorëzime bën një ofiqar”, deklaroi Dauti.
Rasti vjen në një kohë kur janë ngritur edhe akuza të tjera për mënyrën e organizimit të kurorëzimeve në terren. Sipas pretendimeve të publikuara më herët, disa ofiqarë dyshohet se kryejnë kurorëzime në hotele dhe restorante pa respektuar procedurat dhe tarifat zyrtare, duke përfituar në mënyrë të paligjshme.
Pretendimet për pagesa të paligjshme në Tetovë dhe Shkup ngrenë shqetësime për kontrollin e punës së ofiqarëve dhe për mënyrën se si menaxhohen shërbimet e kurorëzimit jashtë zyrave të gjendjes civile.

