Rritet çmimi i ngrohjes në Shkup nga 1 gushti
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) ka miratuar rritjen e çmimit të energjisë termike për amvisëritë në Shkup. Nga 1 gushti, konsumatorët që furnizohen përmes EMV Furnizimi, EMV Distribuim dhe EMV Prodhimi i Energjisë Termike do të paguajnë mesatarisht 5,96 për qind më shumë.
Fatura mesatare mujore do të rritet për rreth 140 denarë, nga 2.353 në 2.493 denarë.
Për konsumatorët e ish-Ngrohtores Shkup Veri, tani Energy Ecolink, rritja do të jetë 3,6 për qind, ndërsa për përdoruesit e EMV Energetika rreth 5 për qind.
Kryetari i KRRE-së, Aco Ristov, tha se vendimi është marrë pas analizave ekonomike dhe teknike, ndërsa theksoi se kërkesat fillestare të kompanive për rritje kanë qenë nga 30 deri në 130 për qind.
Sipas KRRE-së, edhe pas kësaj rritjeje, banorët e Shkupit vazhdojnë të kenë tarifën më të ulët vjetore për ngrohje krahasuar me konsumatorët në Beograd, Lubjanë, Sofje dhe Sarajevë.
Ndërkohë, numri i konsumatorëve të energjisë termike është rritur. Gjatë sezonit të fundit të ngrohjes janë lidhur 1.521 konsumatorë të rinj, duke e çuar numrin e përgjithshëm të amvisërive të furnizuara me energji termike në 67.494.

