7.1 milionë euro për ujësjellësin e Gostivarit, por një pjesë e projektit nuk u realizua kurrë
Për rinovimin e sistemit të ujësjellësit në Gostivar dhe forcimin institucional të Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec” janë investuar gjithsej 7 milionë e 132 mijë euro, por një pjesë e projektit nuk është realizuar, ndërsa disa investime të tjera, edhe pse janë vënë në përdorim, nuk kanë funksionuar asnjëherë.
Sipas letrës së qëllimit të siguruar nga Telma, projekti është financuar me mbi 4.5 milionë euro nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), pothuajse 2 milionë euro nga Banka Gjermane për Zhvillim, ndërsa Komuna e Gostivarit dhe “Komunalec” kanë marrë pjesë me 682 mijë euro.
Projekti ishte planifikuar të niste në vitin 2016, por fillimi u shty për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të vitit 2017. Punimet teknike nisën në vitin 2018 dhe projekti përfundoi në dhjetor të vitit 2023, sipas SECO-s.
Ndër investimet kryesore ishte ndërtimi i tre rezervuarëve të ujit në Banjicë, Çegran dhe Zdunjë. Rezervuari më i madh, në Zdunjë, me kapacitet prej 6 mijë metrash kub, u vu në përdorim në vitin 2024, por sipas burimeve të Telma-s, për shkak të problemeve me mbushjen, nuk ka funksionuar. Dy rezervuarët e tjerë, me kapacitet prej 900 dhe 800 metrash kub, nuk janë ndërtuar fare.
Nga “Komunalec” thonë se mosrealizimi i plotë i projektit ka pamundësuar edhe zonimin hidraulik dhe menaxhimin e presionit, duke shkaktuar probleme të vazhdueshme me furnizimin me ujë dhe presion të pabarabartë në pjesë të ndryshme të komunës.
SECO, ndërkohë, ka deklaruar se të gjitha komponentët e financuara nga kontributet e saj janë përfunduar dhe se projekti i është dorëzuar ndërmarrjes publike komunale. Sipas tyre, që nga dhjetori 2023, operimi dhe mirëmbajtja e sistemit janë në kompetencë të “Komunalec”.
Për momentin, sipas informacioneve nga Prokuroria, nuk ka hetim për realizimin e këtij projekti. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se ekziston një mbikëqyrje që duhet të kryejë revizion edhe për këtë projekt.
Çështja e ujësjellësit është rikthyer në vëmendje pas shpalljes së epidemisë së problemeve gastrointestinale në Gostivar. Tre persona janë ndaluar në paraburgim për 30 ditë, nën dyshimin për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit.
Sipas Prokurorisë Publike, analizat e publikuara më 20 korrik kanë treguar se në ujin e sistemit të ujësjellësit kishte 48 herë më shumë baktere sesa vlerat e lejuara. Inspektimet kanë zbuluar gjithashtu një pompë të vendosur në mënyrë të paligjshme në tubacionin kryesor, përmes së cilës futej drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar, pas së cilës uji u ndalua për konsum.

