Mickoski: Qeveria ka marrë hua edhe nga Lotaria dhe MEPSO për të shlyer kredinë kineze për autostradat
Qeveria ka marrë hua jo vetëm nga Navigacioni i Maqedonisë (M-NAV), por edhe nga Lotaria Shtetërore dhe MEPSO, në emër të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se për çfarë do të përdoren 7 milionë eurot e marra hua nga M-NAV, Mickoski tha se këto mjete, së bashku me fondet e marra nga Lotaria dhe MEPSO, do të përdoren për shlyerjen e një kredie ndaj një banke kineze për autostradat.
Sipas tij, bëhet fjalë për një procedurë të zakonshme dhe fondet do t’u kthehen kompanive gjatë muajit gusht.
“Bëhet fjalë vetëm për një procedurë të zakonshme, e cila është zbatuar shumë herë edhe në të kaluarën. Në gusht fondet do t’i kthehen M-NAV-it, Lotarisë së Maqedonisë dhe MEPSO-s”, deklaroi Mickoski.
Qeveria, në mbledhjen e 14 korrikut, miratoi marrjen e një huaje prej 7 milionë eurosh nga M-NAV për Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore. Vendimi për dhënien e huasë afatshkurtër pa interes u nënshkrua më 17 korrik nga tre drejtorët e kompanisë, Vladimir Risteski, Milan Koraq dhe Fatmir Zimberi.
Sipas vendimit, huaja duhet të kthehet deri më 30 nëntor 2026.

