Mickoski prezanton kabinetin e ri: Qeverisë i duhet energji e re për fazën e ardhshme të reformave

Kryeministri Hristijan Mickoski prezantoi sot në Kuvend propozimin për emërimin e ministrave të rinj në kuadër të rikonstruksionit të Qeverisë, duke theksuar se ndryshimet synojnë t’i japin ekzekutivit energji të re, ritëm më të shpejtë dhe përgjegjësi më të madhe.

Në fjalimin e tij para deputetëve, Mickoski deklaroi se ministrat e propozuar vijnë nga fusha të ndryshme profesionale, por kanë një detyrim të përbashkët – të punojnë me ndershmëri dhe në shërbim të qytetarëve.

Ai tha se, megjithëse gjatë dy viteve të fundit janë shënuar përparime në investime, ndërtim dhe zhvillim, pjesa më e rëndësishme e punës ende mbetet përpara. Sipas tij, rikonstruksioni nuk nënkupton ndryshim të kursit qeverisës, por përshpejtim të reformave dhe rritje të efikasitetit të institucioneve.

Mickoski prezantoi edhe pritshmëritë për secilin nga ministrat e propozuar. Për postin e ministrit të Drejtësisë propozoi Jeton Shasivarin, për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Agon Feratin, për Bujqësi Borçe Serafimovskin, për Shëndetësi Sasho Klekovskin, për Politikë Sociale Gjoko Velkovskin, për Vetëqeverisje Lokale Ivan Stoilkoviqin, për Kulturë dhe Turizëm Sedat Sulejmanin, ndërsa Erxhan Demirin për ministër pa portofol.

Ai theksoi se Qeveria synon të ndërtojë institucione më efikase, të forcojë drejtësinë, sistemin shëndetësor, bujqësinë dhe zhvillimin lokal, duke shtuar se “vitet më të mira të Maqedonisë janë para nesh”.

Pas fjalimit të kryeministrit, në Kuvend nisi debati për zgjedhjen e ministrave të rinj. Më herët, deputetët votuan për shkarkimin e ministrave aktualë në kuadër të rikonstruksionit të Qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *