Ramis Merko dënohet me 5 mijë euro gjobë për pllakën përkujtimore në Komunën e Strugës

Ish-kryetari i Strugës, Ramis Merko, është dënuar me 5 mijë euro gjobë për vendosjen e pllakës përkujtimore të kontestuar në ndërtesën e Komunës së Strugës.

Gjykata Themelore e Strugës ka konstatuar përgjegjësi, duke vlerësuar se përmbajtja e pllakës nxit ose ndez urrejtje fetare dhe etnike.

Edhe pse në këtë rast nuk janë regjistruar konflikte, incidente apo pasoja të tjera, gjykata ka vlerësuar se për veprën e kryer nuk është e domosdoshme të ekzistojë pasojë konkrete.

Sipas gjyqtarit të çështjes, Jordan Jordanov, për rastin janë zhvilluar dy procedura – njëra kundërvajtëse, që lidhet me mosrespektimin e procedurës për vendosjen e përmendores, dhe procedura tjetër penale.

“Është fakt se për këtë rast janë zhvilluar dy procedura, njëra prej të cilave ka qenë kundërvajtëse, mirëpo ajo lidhet me mosrespektimin e procedurës për ngritjen e përmendores dhe për të është lëshuar urdhërpagesë për kundërvajtje. Mirëpo, kjo i referohet çdo lloj përmendoreje, përfshirë edhe ato që nuk nxisin ose ndezin urrejtje fetare dhe etnike”, deklaroi Jordan Jordanov, gjyqtar i çështjes në Gjykatën Themelore të Strugës.

Si dëshmi kyçe, gjykata ka marrë parasysh edhe mendimin e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ky mendim ishte kontestuar në Gjykatën Administrative, por padia ishte refuzuar, ndërsa vendimi ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Lartë Administrative.

“Mendimi është i vlefshëm, mbetet në fuqi, ndërsa është përgatitur në bazë të mendimit të ekspertëve nga Instituti i Historisë Kombëtare, prej të cilëve është kërkuar mendim nëse ajo që simbolizon pllaka mund të nxisë ose ndezë urrejtje fetare apo etnike”, tha Jordanov.

Pllaka e kontestuar, e punuar prej mermeri, ishte vendosur në hyrje të ndërtesës së Komunës së Strugës dhe ishte shkruar vetëm në gjuhën shqipe. Në të ishte vendosur mbishkrimi: “Shkolla fillore Kongresi i Manastirit, 1 shtator 1941”.

Ndërkohë, më 20 qershor, Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte shpallur Ramis Merkon person non grata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *