Mexhiti: Për momentin nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme, VLEN punon për zgjidhje
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, thotë se për momentin nuk ka arsye për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përcjell TV21.
Mexhiti akuzoi BDI-në se e mban vazhdimisht të hapur temën e zgjedhjeve për të mos humbur elektoratin, ndërsa theksoi se Qeveria ka shumicë absolute në Kuvend dhe proceset nuk janë të bllokuara.
Sipas tij, Qeveria aktualisht është e fokusuar në realizimin e programit dhe premtimeve të dhëna, përfshirë investimet në shëndetësi dhe arsim.
“Për momentin punojmë për zgjidhje, jo për zgjedhje”, tha Mexhiti, duke shtuar se kjo nuk nënkupton që VLEN-i u ik zgjedhjeve.
Ai vlerësoi se zgjedhjet e parakohshme do të nënkuptonin bllokim të proceseve dhe shpenzime shtesë për qytetarët.
“BDI-ja, për të mos t’i ikur elektorati, e ka mbajtur vazhdimisht këtë temë. ‘Mbas tre muajve, mbas gjashtë muajve’, kaluan dy vite. […] Parlamenti ka mjaftueshëm numra, shumicë absolute dhe nuk ka asnjë arsyeje për të eksperimentuar dhe për të shkuar në zgjedhje”, deklaroi Mexhiti.

